Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë krenar dhe ballëhapur në shënimin e trevjetorit prej kur e ka nisur qeverisjen, duke numëruar ato që ai i ka quajtur suksese.
Në konferencë për media të premten, Kurti ka thënë se kanë dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar e nga mbështetja e Qeverisë 12 mijë gra kanë vende pune.
Shefi i Qeverisë është shprehur se kanë zbutur edhe hendekun eksport-import duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 (19.7 miliardë euro), sipas tij, ka arritur nivele rekorde.
Kurti ka thënë se në qeverisjen e tij ka më shumë sundim të ligjit e korrupsioni po luftohet, por “eliminimi i tij varet nga gjykatat e prokuroria”.
Numri i inspektimeve të tregut është rritur me 63 për qind, siç ka thënë Kurti, e në veri është ulur ilegaliteti e po rritet ligjshmëria.
Ka përmendur edhe mbështetjen për nëna lehona e fëmijët nën 16 vjeç. Ka thënë se e kanë mbajtur premtimin që arsimi i lartë publik të jetë falas.
Kurti ka konsideruar se janë bërë reforma edhe në sektorin e bujqësisë “përmes eliminimit të keqmenaxhimit e keqpërdorimit”.
“Ushtrinë e kemi më të fortë e më të përgatitur sepse e ka buxhetin dyfish më të madh”, ka thënë ai.
Programi 12-milionësh “Kosova, shtet i xhudos”, sipas Kurtin, konfirmon mbështetjen që Qeveria e tij e ka pasur për sportin.
Ka thënë se do t’i përfundojnë rrugët Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë e autostradën Prishtinë – Gjilan.
“E di që gjatë kësaj kohe kemi kaluar vështirësi, por si qeveri e kemi pasur në mendje interesin më të mirë të vendit”, ka thënë Kurti ndër të tjera.