Aty ku ruhen mbi 1.4 milionë mostra që mund të jenë vendimtare për të ardhmen e ushqimit
Në skajin e veriut të Evropës, nën një mal të akullt dhe pranë Polit të Veriut, ndodhet një nga vendet më të pazakonta të planetit. Është Svalbard Global Seed Vault, banka globale e farërave që ruan kopje të materialeve gjenetike të bimëve nga e gjithë bota.
Shpesh është quajtur “Kasaforta e Kijametit” ose “Kasaforta e Fundit të Botës”, por Fuad Gaši preferon një përshkrim më pak apokaliptik: një depozitë e dijes që mbron biodiversitetin bujqësor të planetit.
Që prej qershorit të këtij viti, këtë institucion e drejton një profesor 46-vjeçar i gjenetikës dhe përzgjedhjes së bimëve, i lindur në Bosnjë-Hercegovinë. Gjatë luftës së Bosnjës në vitet ’90, Gaši u largua si refugjat drejt Suedisë.
Më vonë u kthye në vendlindje, studioi shkencat bujqësore dhe gjenetikën dhe nisi të japë mësim në Universitetin e Sarajevës. Interesi i tij për bankat e farërave lindi gjatë studimeve. Në vitin 2008, ai krijoi bankën e parë të gjeneve bimore në Bosnjë-Hercegovinë.
Gjatë pandemisë së COVID-19, institucioni u përball me vështirësi financiare. Atëherë Åsmund Asdal, drejtuesi i Svalbardit në atë kohë, e inkurajoi Gašin të dërgonte kopje të farërave të Sarajevës në një projekt ndërkombëtar dhe të depozitonte një tjetër grup në kasafortën norvegjeze.
Pak vite më vonë, Gaši do të merrte vendin e vetë Asdalit. Sot, Svalbard ruan më shumë se 1.4 milionë mostra farërash. Secila prej tri dhomave të ruajtjes ka kapacitet për 1.5 milionë mostra.
Njëra është tashmë e mbushur dhe e dyta ka nisur të mbushet. Farërat ruhen në temperaturën minus 18 gradë Celsius, ndërsa dera e kasafortës hapet vetëm tri herë në vit.
Një arkiv për të ardhmen
Gaši e përshkruan Svalbardin jo si një bankë tradicionale farërash, por si një kopje rezervë për bankat gjenetike të botës. Këto institucione ruajnë biodiversitetin dhe materialin që mund të përdoret për krijimin e varieteteve të reja të kulturave bujqësore.
Për të depozituar farërat në Svalbard, vendet duhet të nënshkruajnë marrëveshje të posaçme. Bankat kombëtare duhet të mbajnë gjithashtu kopje të materialeve, sepse edhe siguria e Svalbardit nuk do të kishte kuptim nëse “të gjitha farërat do të vendoseshin në një shportë”.
Pasi mbërrijnë në kasafortë, farërat praktikisht nuk preken. Ato ruhen në kushte të kontrolluara, ndërsa bankat kombëtare janë përgjegjëse për mbjelljen dhe kontrollin e aftësisë së tyre për të mbirë.
Për Gašin, çdo farë është një pjesë e historisë njerëzore. “Po ruajmë historinë e bujqësisë!”, thotë ai, duke kujtuar se çdo varietet është rezultat i përzgjedhjes dhe punës së brezave të fermerëve gjatë mijëra viteve.
Sipas tij, humbja e një fare do të thotë humbje potenciali. Një varietet i humbur, mund të kishte përmbajtur një karakteristikë që do të mundësonte krijimin e një kulture rezistente ndaj një sëmundjeje ose më të përshtatshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Por rëndësi ka edhe dija që shoqëron farën, mënyra se si është kultivuar, kushtet ku është përshtatur dhe karakteristikat e saj. Bankat gjenetike ruajnë pikërisht këtë “dije tradicionale”, së bashku me të dhënat biologjike të çdo varieteti.
Për Gaši-n, banka më e pasur e farërave nuk është domosdoshmërisht ajo që ka më shumë mostra, por ajo që kupton më mirë atë që ruan.
Një kasafortë kundër klimës
Svalbardi është projektuar me një horizont kohor shumë më të gjatë se zakonisht. Hyrja e kasafortës ndodhet rreth 130 metra mbi nivelin e detit, një masë sigurie që do ta mbante atë mbi ujë edhe nëse shkrirja e akujve do të sillte rritje të ndjeshme të nivelit të deteve.
Por paradoksi është se, ndërsa Svalbardi mbron biodiversitetin, vetë biodiversiteti po humbet nëpër fusha. “Është e tmerrshme që po humbasim biodiversitetin”, thotë Gaši. Farërat mund të ruhen në kasafortë, por qëllimi nuk është të mbeten përgjithmonë brenda saj. Ato duhet të vazhdojnë të përdoren dhe të riprodhohen në fusha.
Sepse në një botë që përballet me ndryshime klimatike, sëmundje dhe pasiguri ushqimore, diversiteti gjenetik është një nga mbrojtjet më të rëndësishme.
Gaši e lidh këtë edhe me mënyrën se si njerëzimi mendon për të ardhmen. Njeriu, thotë ai, është i prirur të mendojë për nevojat e menjëhershme, jo për dekadat që vijnë. Por qytetërimi modern tashmë ka fuqinë të shkaktojë dëme të mëdha në habitatin e vet.
Prandaj sipas tij, njerëzimi duhet të mësojë të mendojë më gjatë. Në fund të fundit, Svalbardi nuk ruan thjesht fara. Ruhet një mundësi që një ditë, një farë e vogël e harruar në një kuti të ftohtë, në një mal pranë Polit të Veriut, të jetë çelësi për të ushqyer botën. tesheshi

