RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe BotëTurqi

Lufta me kohën për t’i shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit

lufta-me-kohen-per-t’i-shpetuar-te-mbijetuarit-e-termetit

Familjet e personave të ngujuar nën rrënojat e objekteve të shembura nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri ende shpresojnë se do t’i gjejnë të gjallë më të dashurit e tyre.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave pas dy tërmeteve të mëdha të hënën, që deri në orët e vona të së martës morën jetën e më shumë se 7200 personave, por ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të rritet vazhdimisht.

Një punonjës shpëtimi i tha BBC-së se ai duhet të “përqendrohet te të gjallët”, ndërsa përpjekjet për të gjetur të mbijetuarit po zhvillohen në natën e dytë të ftohtë të dimrit.

Familjet në ankth

Familjarët e viktimave që jetonin në ndërtesat e shembura janë bashkuar me përpjekjet e furishme të shpëtimit duke përdorur kazma e duke gërmuar edhe me duar.

Disa familje të shqetësuara kanë thënë se shërbimeve të shpëtimit iu desh shumë kohë për t’u përgjigjur në disa zona.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 goditi afër Gaziantepit në orët e para të së hënës, i ndjekur nga një lëkundje me magnitudë 7.5 orë më vonë.

Një vajzë e porsalindur u gjet e ngujuar nën rrënoja me kordonin e kërthizës ende të lidhur me nënën e saj, Afraa Abu Hadiya, e cila u gjet e vdekur. Foshnja ishte i vetmi anëtar i familjes që mbijetoi shembjen e objektit

Në Malatya, ekipet e kërkim-shpëtimit ia dolën ta nxirrnin të gjallë një burrë nga rrënojat. Temperaturat e ulëta dhe pasgoditjet po sfidojnë përpjekjet e ekipeve në terren. Janë rreth gjashtë mijë objekte që janë shembur nga tërmeti në Turqi.

Në Siri, mbrojtja civile ka gërmuar në rrënoja. Në pamje të mediave ndërkombëtare, Helmetat e Bardha shihen derisa shpëtojnë një fëmijë në gërmadhat e një ndërtese në Jinderis, qytet nën kontroll të kryengritësve të opozitës.

Pjesëtarët e kërkim-shpëtimit mund të dëgjohen duke i thënë fëmijës “fol me babanë, fol me babanë”, derisa e nxjerrin vajzën nga rrënojat.

Autoritetet druajnë se numri i viktimave do të rritet për shkak se të mbijetuarit janë ngujuar në rrënoja metalike e betoni në mbarë rajonin, edhe ashtu të goditur nga tmerri i luftës civile që shpërtheu para dymbëdhjetë vjetësh.

Helmetat e Bardha thonë se janë qindra familje ende të ngujuara nën gërmadha.

Siria veriperëndimore, nën kontroll të opozitës, është mbingarkuar me katër milionë refugjatë të pjesëve të tjera të vendit. /koha

Related posts

Zelenskyy kërkon më shumë presion mbi Rusinë për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Irfan Jahiu

Të paktën 22 të vdekur pasi një vinç ndërtimi ra mbi një tren në verilindje të Tajlandës

Muhamet Ramadani

Kryediplomati i BE-së, Borrell do të vizitojë Libanin

admin