RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Macron: Presidenti Erdoğan luan rol shumë aktiv në bisedimet e paqes me Rusinë

macron:-presidenti-erdogan-luan-rol-shume-aktiv-ne-bisedimet-e-paqes-me-rusine

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, luan rol “shumë aktiv” në bisedimet e paqes me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media të mbajtur në kuadër të Samitit të Liderëve të G20-tës, Macron tha se i përcolli ngushëllimet e tij autoriteteve të Polonisë për ata që humbën jetën nga raketa që ra në fshatin Przewodow, që ndodhet afër kufirit me Ukrainën.

Duke u shprehur se qëndrojnë me Poloninë për të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm, Macron tha se nuk mund të thuhet se kush është përgjegjës për këtë në situatën aktuale.

Macron gjithashtu theksoi se ai bisedoi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksyy, pasi Rusia lëshoi 85 raketa në Ukrainë dje.

Duke theksuar se shumica e liderëve të G20-tës u shprehën se nuk donin luftë, Macron tha: “G20-ta i ka dërguar botës një mesazh shumë të qartë për t’i dhënë fund luftës. Rezultati i parë i rëndësishëm i samitit është se G20-ta nuk injoroi luftën dhe shumica dërrmuese e dënuan luftën në Ukrainë. Edhe pse G20-ta është grup ekonomik, e ka bërë të qartë se nuk dëshiron luftë”.

Duke u shprehur se ata duhet të punojnë për paqen edhe pse nuk janë palë në luftë, Macron tha: “Ne i diskutuam këto çështje me presidentin Erdoğan, kryeministrin e Indisë, Narendra Modi dhe presidentin e Kinës, Xi Jinping. Presidenti Erdoğan po luan rol shumë aktiv në këtë aspekt”.

Macron theksoi se një nga çështjet e rëndësishme të samitit është siguria ushqimore. Ai tha se çmimet e ushqimeve janë ulur falë zbatimit të marrëveshjes së drithërave të Istanbulit.

“Marrëveshja për korridorin e drithërave duhet patjetër të rinovohet këtë fundjavë”, theksoi Macron.

Duke kujtuar se Rusia kishte njoftuar më parë se do të eksportojë plehra bujqësore shtesë, Macron tha se do të ishte “e papërgjegjshme” të krijohen pengesa.

Macron po ashtu tha se ka nisur një program për të vazhduar furnizimin me plehra bujqësore, veçanërisht në Afrikë dhe se javën e ardhshme do të bëhet dërgesa e parë e tyre.

Duke theksuar se janë zhvilluar takime të ndryshme me institucionet financiare me qëllim rritjen e prodhimit të plehrave bujqësore të vendeve afrikane, Macron tha se duhet të hiqen pengesat në qarkullimin e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

Presidenti francez u shpreh se vendi i tij mbështet integrimin e plotë të Bashkimit Afrikan në G20.

Related posts

OBI, thirrje OKB-së “të marrë përgjegjësi” për të ndaluar sulmet e Izraelit në Palestinë

admin

Nesër mblidhet Kuvendi i ASHAK-ut, pritet shkarkimi i Mehmet Krajës

rezart morina

KRU Prishtina paralajmëron shkyçje masive nga nesër

admin