Problemi, Pentagoni e ka shteruar tashmë buxhetin vjetor
Mes shumë fijeve që ndërthuren në luftërat në Ukrainë dhe në Gjirin Persik, është edhe parashikimi i vazhdueshëm për kolapsin e kundërshtarit. Në muajt e parë pas pushtimit rus të Ukrainës, përsëritej vazhdimisht se Moska “i kishte mbaruar raketat”.
Sot situata është kthyer në të kundërtën: NATO-s i duhet të gërmojë deri në fund të rezervave për të gjetur raketa interceptuese Patriot për t’ia dërguar Kievit.
Arsyeja është e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar në 40 ditët e para të konfliktit me Iranin rreth dy të tretat e rezervave të tyre, ose rreth 2.300 raketa. Ndërkohë, Arabia Saudite ka përdorur 85 për qind të rezervave të saj, duke zbritur nga rreth 2.800 raketa në vetëm 400.
Pasojat janë të dukshme. Irani, pasi ka nxjerrë jashtë funksionit 15 baza amerikane në rajon, tashmë është në gjendje të kërcënojë dhe të kontrollojë ngushticën e Hormuzit.
Donald Trump, të paktën për momentin, ka përjashtuar ndërmarrjen e veprimeve të reja ushtarake dhe është mjaftuar të deklarojë se ngushtica është “e tij”.
Në fillim pretendohej se Gardës Revolucionare iraniane i kishin mbetur “maksimumi 1.500 raketa” me rreze të shkurtër dhe të mesme.
Në fakt, sipas të dhënave të cituara në artikull, Irani kishte rreth 15 mijë raketa dhe vazhdon t’i prodhojë ato në qytete nëntokësore të hapura në masive graniti, të mbrojtura nga bombardimet.
Tani të njëjtat burime, zakonisht të lidhura me kundërshtarë iranianë në mërgim dhe me parashikimet se “regjimi do të bjerë për tre ditë”, përsërisin se Irani nuk eksporton më naftë, nuk është në gjendje të paguajë ushtarët dhe madje ka shteruar rezervat e karburantit brenda vendit.
Por ky version lë jashtë një detaj të rëndësishëm. Gjatë pak javëve të armëpushimit real, Teherani kishte nxjerrë në det cisterna të ngarkuara me rreth 180 milionë fuçi naftë.
Kjo sasi, do t’i mjaftonte Iranit të vazhdonte eksportet për rreth tre muaj dhe të siguronte të ardhura në juanë nga Kina, të cilat mund t’i përdorë për blerjen e armëve dhe pagesën e rreth një milion personave nën uniformë.
Ironikisht, ata që po përballen me probleme për pagesën e ushtarëve, ose më saktë të marinarëve, janë Shtetet e Bashkuara. Sipas britanikes The Guardian, vonesat lidhen me shpenzimet e jashtëzakonshme të Marinës amerikane, e cila tashmë ka konsumuar buxhetin e saj vjetor.
Këtu hyn në lojë një proces psikologjik i njohur si projeksioni: një problem që ekziston tek vetja shihet te tjetri. Sipas kësaj logjike, ai që po përballet realisht me mungesën e raketave dhe rrezikun serioz të mbetjes pa karburant është Perëndimi.
Për gjashtë muaj, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Japonia, por edhe Kina, kanë shmangur një goditje të rëndë duke përdorur në mënyrë intensive rezervat strategjike.
Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së, e cila ka kapacitet për 708 milionë fuçi, ka zbritur në rreth 293 milionë. Pragu kritik konsiderohet 240 milionë fuçi dhe rezervat po pakësohen me rreth një milion fuçi në ditë. Me këtë ritëm, mbeten më pak se dy muaj hapësirë.
Shtëpia e Bardhë e ka ulur me një vendim të vetëm këtë prag në 70 milionë fuçi, por specialistët e sektorit e konsiderojnë këtë një lëvizje kryesisht propagandistike. Është një tjetër shenjë e kohës sonë: ndryshohet një emër, një ngjyrë në hartë dhe shpallet fitorja, edhe kur realiteti në terren tregon të kundërtën. tesheshi

