RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

marsh-ne-mbeshtetje-te-te-mbijetuarve-te-dhunes-seksuale-gjate-luftes

Në Prishtinë është mbajtur marshi në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky marsh është organizuar me rastin e 14 Prillit – Ditës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, që në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh, shënohet për herë të parë.

Në këtë marsh një fjalë rasti e ka mbajtur e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi. Ajo ka thënë se synon që këtë ditë ta shndërrojë në forcë për të gjitha viktimat.

“Me ditën e sotme unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë e kurajë, tu jap forcë viktimave që zëri jonë të dëgjohet në tërë botën”, ka thënë Krasniqi.

Në marsh ka marrë pjesë edhe Shyrete Tahiri Sulimani, një tjetër e mbijetuar e dhunës seksuale.

“Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di që këta do të luftojnë çdo herë për neve, e nuk do të lënë qe me u harrua”, ka thënë ajo.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.

“Jemi bashkë e që bashkërisht ta ngremë vetëdijen e shoqërisë për tmerrin që viktimat kanë përjetuar. Lufta në Kosovë pati pasoja të rënda. Mijëra gra dhe vajza, përfshirë edhe burra u dhunuan nga kriminelët e luftës. Përkujtojmë këtë ditë, do të njohim ndikimin e vazhdueshëm që krimet kanë tek viktimat. Si Ministri e Drejtësisë do të finalizojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale”, ka thënë Haxhiu.

Me propozim të presidentes Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës ditë më parë e caktoi datën e sotme si ditë që do t’u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

14 Prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi-Goodman, në atë kohë 16 vjeç, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

Related posts

Sarkozy humb në Apel, 3 vite në arrest shtëpie

admin

Ndahen 40 milionë euro shtesë për FSK-në

rezart morina

Britania projektligj për refugjatët nga Ruanda

admin