Një projektil i lëshuar nga grupi Huthi i Jemenit ka goditur të premten një shkollë në qytetin jugor saudit Naxhran, duke shkaktuar dëme materiale, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit (SPA), duke cituar një zëdhënës të Mbrojtjes Civile, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë, zëdhënësi ka thënë se ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë pasi një “projektil armiqësor” i lëshuar nga Huthit ka rënë në zonë.
Ai ka deklaruar se projektili ka goditur një shkollë në Naxhran, duke shkaktuar dëme materiale.
Ai ka shtuar se për incidentin janë zbatuar procedurat standarde.
Më herët, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht, tha se ka interceptuar dhe shkatërruar tri raketa balistike të lëshuara nga Huthit në drejtim të qytetit jugor saudit Khamis Mushait.
Arabia Saudite ka udhëhequr një koalicion ushtarak në mbështetje të qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht kundër Huthive që nga marsi i vitit 2015.
Grupi mban kontrollin e kryeqytetit Sana dhe disa provincave që nga shtatori i vitit 2014.

