Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Arabinë Saudite do të ishte një “hap i madh” në rrugën për t’i dhënë fund konfliktit arabo-izraelit, transmeton Anadolu.
Netanyahu e bëri këtë koment gjatë takimit të tij me senatorin amerikan, Lindsey Graham, i cili mbërriti për vizitë në Izraeli nga Arabia Saudite.
“Kjo marrëveshje mund të ketë pasoja monumentale, pasoja historike si për Izraelin ashtu edhe për Arabinë Saudite, për rajonin dhe për botën”, tha Netanyahu.
Siç njofton zyra e kryeministrit izraelit, Graham, i cili më herët në Riad u takua me princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, tha se po bëhen përpjekje për të përmirësuar lidhjet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite dhe nga ana tjetër për të normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
“I thashë Arabisë Saudite se do të doja të përmirësoja marrëdhëniet tona. Ne duhet ta bëjmë atë në një mënyrë që do të ishte bindëse për miqtë tanë në Izrael”, i tha në takim senatori amerikan kryeministrit izraelit.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment nga autoritetet saudite mbi komentet e kryeministrit izraelit.
Arabia Saudite nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe kundërshton normalizimin me Tel Avivin derisa t’i japë fund pushtimit izraelit prej dekadash të territoreve palestineze.
Gjashtë vende arabe kanë lidhje diplomatike me Izraelin duke filluar me Egjiptin në vitin 1979, Jordaninë në vitin 1994, si dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinin, Sudanin dhe Marokun në vitin 2020.