RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok rritet në afro 2.500

numri-i-te-vdekurve-nga-termeti-ne-marok-rritet-ne-afro-2.500

Numri i të vdekurve nga tërmeti vdekjeprurës në Marok është rritur në 2.497, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, ministria tha se 2.476 persona të tjerë janë lënduar në tërmetin me magnitudë 7 ballë që goditi vendin e Afrikës Veriore të premten vonë.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, i cili ndodhi pak pas orës 23:00 me kohën lokale, ishte 75 kilometra në juglindje të Marrakeshit, në një thellësi prej 18,5 kilometrash.

Dëme masive u raportuan në Marrakesh, vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, nga tërmeti vdekjeprurës.

Ekipet e shpëtimit vazhduan sot kërkimin për personat e zhdukur të bllokuar nën rrënoja për të katërtën ditë pas tërmetit shkatërrues.

Një numër njerëzish janë nxjerrë nga ekipet e shpëtimit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në zona të ndryshme të goditura nga tërmeti, njofton reporteri i Anadolu.

Disa ekipe të huaja të shpëtimit kanë mbërritur tashmë në vend për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit për të mbijetuarit.

Maroku deri më tani ka pranuar oferta ndihme nga Spanja, Britania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të dielën, qeveria marokene hapi një llogari të veçantë me thesarin dhe Bankën e Marokut për të pranuar donacione për viktimat e tërmetit.

Tërmeti ishte më i forti që goditi vendin e Afrikës së Veriut në njëqind vjet, sipas Institutit Kombëtar Gjeofizik të Marokut.

Related posts

Rusia përgatitet të dorëzojë centralin Zaporizhia

admin

Ambasadori Hovenier uron Fitër Bajramin

rezart morina

Kroacia alarmohet nga rënia e numrit të lindjeve

admin