Kauza e shpjeguar nga organizatori i një proteste që bëri me turp maqedonasit
Mevlan Ademi, organizatori i protestës studentore që u mbajt në Shkup, ku studentët shqiptarë kërkonin zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, është shprehur se ata nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç një të drejtë të përcaktuar me ligj.
Mbrëmë në Top Story në TCH, ai, i rrethuar dhe nga student të tjerë, u shpreh se në Maqedoni çdo të drejtë që ata kanë fituar si shqiptarë është falë sakrificës së tyre, duke theksuar se disa prej prindërve të tyre kanë rënë dëshmorë për të mësuar gjuhën shqipe.
“Jam Mevlan Ademi, student i drejtësisë. Rrugëtimi ynë ka nisur para tre vitesh duke kërkuar një të drejtë ligjore. Gjatë këtyre dy viteve jemi endur nga institucioni në institucion, nga zyra në zyrë, nga gënjeshtra në premtim, nga premtimi në zvarritje. Ky është realiteti tek ne. Një gjë që kërkon një ditë të zgjidhet nga vendimi i ministrit tek ne merr dy vite. Ky është realiteti i hidhur për ne.
Nuk është vetëm problemi tek provimi i jurisprudencës, por edhe tek kolegët si të ekonomisë, që kanë provimin në gjuhën maqedonase. Nga janari 2019 është miratuar ligji për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e popullsisë. Neni është shumë i qartë. Ligji i provimit të jurisprudencës nuk e përcakton se në çfarë gjuhe duhet të mbahet provimi. Këtu kapet ministri.
Ose ai është injorant, ose bën si budalla. Duhet një vendim nga ministri i Drejtësisë që të ndryshohet rregullorja. Ajo që shohim ne këto tre muajt e fundit, janë qëndrimet që ai ka. Ajo është e dhimbshmja. Ne varemi nga gjuha që flet profesori. Nuk është zgjidhje përkthimi. Tek ne as seancat gjyqësore nuk mbahen në gjuhën shqipe, por maqedonase. Shumica e juristëve janë të kohës që i kanë kryer studimet në universitete maqedonase dhe kur nuk ka pasur universitete shqipe. Çdo gjë që kemi fituar në vendin tonë e kemi fituar me sakrificë.
Askush nuk na ka dhënë asgjë falas. Këtu kam kolegë të cilëve prindërit u kanë rënë dëshmorë për të mësuar shqip. Ata kanë mësuar shqip nëpër bodrume. Kufizimi nuk është zgjidhje, por gjithëpërfshirja. Ne kemi dhjetëra probleme. Ata kanë frikë se ne fitojmë shumë të drejta”, shprehet studenti Mevlan Ademi.

