RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë 10.382 civilë

okb:-qe-nga-fillimi-i-luftes-ne-ukraine-jane-vrare-10.382-civile

Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo tha se 10.382 persona janë vrarë dhe 19.659 janë plagosur që nga dita e parë e luftës Ukrainë-Rusi, transmeton Anadolu.

DiCarlo iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili u mblodh me kërkesë të administratës së Moskës pas sulmit të kryer më 3 shkurt në qytetin Lysychansk të kontrolluar nga Rusia në rajonin Luhansk të Ukrainës dhe i cili u mori jetën 28 personave.

Ajo theksoi se sulmet ruse janë intensifikuar në javët e fundit në rajonet nën kontrollin ukrainas. “Javën e kaluar ka patur rritje në ngjarjet e dhunës dhe kryesisht në rajonin Zaporozhzhia u shënjestruan më shumë se 570 vendbanime. Në sulme humbën jetën 12 civilë dhe 60 persona u plagosën”, tha DiCarlo.

Më tej DiCarlo ndau informacionin se sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, në Ukrainë kanë humbur jetën 10.382 persona, përfshirë 579 fëmijë dhe se 19.659 persona, përfshirë 1.285 fëmijë u plagosën në mënyra të ndryshme.

DiCarlo tha se që nga dhjetori kanë “filluar të rriten përsëri në masë të rëndësishme” humbjet civile në Ukrainë të cilat kishin hyrë në trendin e pakësimit gjatë vitit 2023.

“Duhet të theksoj edhe një herë se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, kudo që ndodhin, janë kundër ligjit ndërkombëtar. Këto janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, tha Dicarlo.

Duke kujtuar se lufta në fjalë do të hyjë në vitin e tretë pas rreth 2 javësh, DiCarlo vuri në dukje se ende nuk ka asnjë shenjë se kësaj lufte “po i afrohet fundit”, luftë kjo e cila ka bërë që miliona ukrainas të largohen nga vendi i tyre.

Related posts

30 korriku, Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore – VIDEO

admin

Sveçla dhe Krasniqi vizitojnë policët në Bërnjak, Ujman dhe Jasenovik

admin

Putin dhe kryeministri i Indisë takohen në Moskë

rezart morina