RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OKB: Referendumet e Rusisë për të aneksuar territoret ukrainase janë joligjore

okb:-referendumet-e-rusise-per-te-aneksuar-territoret-ukrainase-jane-joligjore

Shefja politike e Kombeve të Bashkuara (OKB), Rosemary DiCarlo, tha se referendumet e mbështetura nga Rusia në territoret e pushtuara të Ukrainës nuk janë “një shprehje e vërtetë e vullnetit popullor” ose “ligjore” sipas ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Veprimet e njëanshme që synojnë t’i japin një mbulesë të legjitimitetit tentativës për përvetësim me forcë të territorit të një shteti nga një shtet tjetër, ndërkohë që pretendojnë të përfaqësojnë vullnetin e popullit, nuk mund të konsiderohen si të ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Rosemary DiCarlo në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mediat shtetërore ruse njoftuan se 98 për qind e votuesve u shprehën se duan t’i bashkohen Rusisë pas referendumeve në rajonet separatiste Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk.

DiCarlo tha se OKB mbetet plotësisht e përkushtuar për sovranitetin, unitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial, duke kërkuar që Rusia të respektojë ligjet e Ukrainës në territoret e pushtuara, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit tha se referendumet e Rusisë janë një tentim për të vjedhur territor dhe për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar, duke bërë thirrje për izolim total të Rusisë.

“Ky është një tentim shumë cinik për të detyruar meshkujt në territoret e pushtuara të Ukrainës që të mobilizohen në ushtrinë ruse dhe për të luftuar kundër vendlindjes së tyre”, tha Zelenskyy.

Ai tha se nëse Rusia anekson territoret e pushtuara ukrainase në referendumet e rreme, kjo do të thotë se mbetet asgjë për të folur me presidentin rus Vladimir Putin.

Zelenskyy akuzoi Rusinë se po zhvillon një “politikë gjenocidale”, duke e mbajtur botën një hap pranë katastrofës bërthamore.

Ai kërkoi që Rusia të përjashtohej nga të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se Washingtoni do të paraqesë një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit, duke dënuar ato që ajo i quajti referendume “të rreme” në rajonet separatiste të Ukrainës.

Thomas-Greenfield tha se nëse Rusia vë veton ndaj projekt-rezolutës në Këshillin e Sigurimit, Washingtoni do ta vë veton në diskutim në Asamblenë e Përgjithshme.

Ajo u bëri thirrje shteteve të mos njohin asnjë status të ndryshuar të Ukrainës dhe kërkoi që Rusia të tërheqë trupat e saj.

Related posts

Zyrtare: Brenda 4 vjetëve, nga Kosova u larguan mbi 150 mijë banorë

rezart morina

Haxhilerët kthehen në Kosovë pas përfundimit të Haxhit, duke shpresuar për paqe dhe harmoni

rezart morina

Breshëri raketash të lëshuara drejt qyteteve izraelite

rezart morina