RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani i kundërpërgjigjet ambasadorit Hill: Serbia as që mund të ëndërrojë t’i bashkohet NATO-s

osmani-i-kunderpergjigjet-ambasadorit-hill:-serbia-as-qe-mund-te-enderroje-t’i-bashkohet-nato-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, që në një intervistë të martën tha se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova. Duke folur për gazetarët në Prishtinë pas adresimit që ka mbajtur në ditën e dytë të Konferencës “Java e Gruas”, Osmani ka thënë se të gjithë ata që thonë se Serbia është afër NATO-s i fyejnë jo vetëm shtetet demokratike, por edhe viktimat e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia, e ai shtet është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s”, ka deklaruar Osmani.

Hill për televizionin shtetëror serb “RTS” të martën mbrëma kishte thënë se “nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s se Kosova, në këtë moment po, kjo është shumë e vërtetë për tani”.

Osmani ka thënë se Serbia, për shkak se është kundër vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur asnjëherë gatishmëri të anëtarësohet në aleancë.

“Është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se është kundër NATO-s. E treta Serbia është shtet që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, që vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinë përbrenda, të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton se ky është një shtet njësoj si Rusia, që shkel parimet e vlerat e fqinjësisë së mirë, por në të njëjtën kohë ndërmerr veprime konkrete të dhunshme, duke i konsideruar fqinjtë përreth si shtete të përkohshme e jo si shtetet të përhershme siç jemi ne”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale.

“Është shtet që ka kryer gjenocid, është shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit. Është shtet që ka kryer krime lufte e akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç, kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është e njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Osmani.

Related posts

Erdoğan: E rëndësishme të shmangen hapat që do të kërcënonin më tej sigurinë dhe stabilitetin e rajonit

rezart morina

Arrestohen 6 persona, dyshohen për trafikimin e 11-vjeçares në qershor

admin

BE: Serbia shkeli marrëveshjen për liri të lëvizjes, t’i lirojë menjëherë qytetarët e Kosovës

admin