RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Palestinezët në uri të thellë, jugu rrethohet me tanke

palestinezet-ne-uri-te-thelle,-jugu-rrethohet-me-tanke

Është llogaritur se nëntë nga dhjetë palestinezët në Gaza nuk mund të ushqehen çdo ditë për shkak të bombardimeve nga ushtria izraelite. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se ndihmat me ushqim nuk kanë arritur për shkak të bombardimeve të përditshme

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se gjysma e popullsisë në Gaza është në uri dhe nëntë nga dhjetë palestinezë nuk mund të ushqehen çdo ditë.

Kriza për ushqim është shkaktuar nga bombardimet e përditshme nga ushtria izraelite. Teksa po vazhdojnë luftimet nëpër territorin palestinez, agjencitë e OKB-së kanë njoftuar se shumë pak ndihma me ushqim janë duke arritur në Gaza.

Ndërkaq, udhëheqësit e spitalit në Khan Younis në jug të Gazës kanë deklaruar se ka humbur kontrolli i numrave të të vrarëve dhe të plagosurve që kanë arritur në spital. Qyteti jugor është rrethuar nga tanket izraelite në të dy anët; të shtunën ushtria izraelite ka njoftuar se janë duke zhvilluar luftime shtëpi më shtëpi.

Ushtria izraelite gjithashtu ka konfirmuar vdekjen e pengut izraelit – Sarah Baruch, 25-vjeçare. Ajo është gjetur e vdekur pas një operacioni të dështuar për shpëtimin e saj.

Izraeli ka akuzuar Hamasin se po përdor infrastrukturën civile për lansimin e raketave. Ushtria izraelite ka thënë se grupi ka përdorur shkollat dhe xhamitë në veri të Gazës për të sulmuar me raketa.

Të premten, SHBA-ja ka bllokuar rezolutën në Këshillin e Sigurimit që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke argumentuar se është e rrezikshme.

Zyrtarët e Hamasit në Gaza kanë njoftuar se 17 mijë e 700 palestinezë janë vrarë në luftë, përfshirë 7 mijë fëmijë.

Të shtunën, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vazhduar akuzat në drejtim të Izraelit për luftën në Gaza. Ai ka përsëritur thirrjen për të reformuar Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku të premten Amerika vuri veton ndaj rezolutës që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.

“Për shkak të vetos nga SHBA-ja nuk u mor asnjë vendim. Është thelbësore që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të reformohet”, ka thënë Erdogan.

Erdogan theksoi se qeveria izraelite, e mbështetur nga Perëndimi, po kryen mizori dhe masakra në Gaza që turpërojnë njerëzimin në tërësi. “Kasapët e Gazës duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit”, ka thënë Erdogan, duke shtuar se ata do të mbajnë përgjegjësi “herët a vonë”.

Ai ka thënë se “një botë e drejtë është e mundur, por jo me SHBA-në, sepse ajo mban anën e Izraelit”.

Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të pauzës humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Ndërkaq, mijëra njerëz kanë marrë pjesë në marshin e Londrës me thirrje për ndaljen e luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Shumë prej tyre kanë mbajtur flamujt palestinezë teksa kanë marshuar drejt objektit të Parlamentit.

Marshi është organizuar vetëm një ditë pasi Britania e Madhe abstenoi në votimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bënte thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftës në Gaza.

Me luftën që ka hyrë në muajin e tretë, ministria palestineze ka njoftuar për vrasjen e 17 mijë e 400 personave, shumica gra dhe fëmijë. /koha

Related posts

Blinken: Suedia dhe Finlanda të anëtarësohen në NATO

admin

Nuk kalon rezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve

admin

Përurimi i parkut industrial, Kurti: Më shumë mundësi për të rinjtë në vend se t’i kërkojnë ato jashtë

admin