Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ka reaguar ndaj pranisë së forcave të SHBA-së në rajon duke thënë se problemet duhet të zgjidhen nga vendet e rajonit, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA të Iranit, Raisi iu drejtua ambasadorëve në Teheran me rastin e 45-vjetorit të revolucionit iranian.
“Nuk ka asnjë arsye që forcat e SHBA-së të jenë në rajon. Problemet duhet të zgjidhen nga zyrtarët e vendeve të rajonit. Prania e forcave të huaja në rajon i rrit problemet”, tha Raisi.
Ai vuri në dukje se populli palestinez është pala që ka fituar në luftën në Gaza e cila vazhdon prej rreth 4 muajsh. Raisi tha se Izraeli i cili nuk ka mundur të arrijë objektivat e tij ka dështuar.
“Besojmë se SHBA-ja dhe Perëndimi nuk duhet të ndërhyjnë ndaj të ardhmes së Palestinës dhe se populli palestinez duhet të përcaktojë vetë të ardhmen e tij”, tha Raisi.