Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka mbërritur në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët sauditë, transmeton Anadolu.
Presidenti palestinez u prit në Jeddah nga guvernatori i Mekës, Princi Badr bin Sultan bin Abdulaziz Al-Saud.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ‘Ëafa’, presidenti Abbas gjatë ditës së nesërme do të takohet me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, për të diskutuar mbi zhvillimet palestineze dhe rajonale.
Vizita vjen mes raporteve rreth një vizite të mundshme të shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Mbretërinë Saudite, vizita e parë e tillë në vite.
Të premten e kaluar, Arabia Saudite ishte nikoqire e një takimi ministror midis Egjiptit, Jordanisë, Omanit, Kuvajtit, Bahreinit, Irakut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë të cilit pjesëmarrësit dënuan fuqishëm sulmet izraelite ndaj besimtarëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, si dhe masat që minojnë përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.
Tensionet në territoret palestineze u përshkallëzuan në filllim të këtij muaji pasi forcat izraelite larguan besimtarët me forcë nga brenda kompleksit të xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Sulmet izraelite në xhami shkaktuan lëshimin e raketave nga Rripi i Gazës dhe Libani, me Izraelin që u kundërpërgjigj me granatime ajrore dhe artilerie.