RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Qeveria kushtëzon zgjedhjet në veri me largimin e masave ndëshkuese të BE-së

qeveria-kushtezon-zgjedhjet-ne-veri-me-largimin-e-masave-ndeshkuese-te-be-se

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës e kanë vënë si parakusht heqjen e masave sanksionuese të BE-së para se të mbahen zgjedhjet e reja në veri, sipas dakordimit të arritur mes kryenegociatorit Besnik Bislimi e emisarit Miroslav Lajçak. Në zyrën e BE-së nuk kanë ofruar sqarime lidhur me kërkesën e Qeverisë së Kosovës për largimin e masave, duke thënë se institucionet janë në pushime verore. E njohës të zhvillimeve thonë se BE-ja do t’i përdorë masat si levë presioni për t’u siguruar se Kosova do ta shtensionojë situatën në veri, në mënyrë të pakthyeshme.

Mungesa e vendimmarrjes nga ana e Bashkimit Evropian për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës, po shihet si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione tjera në veri. Derisa Bashkimi Evropian nuk ka treguar nëse janë duke e konsideruar heqjen e masave pas veprimeve të qeverisë për shtensionim, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë të hënën se nuk do të ketë zgjedhje në veri përderisa BE-ja nuk i heq masat.

Gjatë një takimi me gazetarë të hënën, Bislimi ka thënë se janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur në Bratislavë. Qeveria ishte pajtuar që krahas largimit të njësive speciale në masën prej 25 për qind nga objektet komunale, në katër komunat të organizohen zgjedhjet e reja pas verës.

Sa u përket zgjedhjeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati deklaruar se organizimin e tyre e lejojnë ligjet e Kosovës. Edhe pse ajo i është referuar peticionit që duhet nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, sipas Bislimit, nuk është e sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore.

“Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim administrativ apo duhet ligj”, ka thënë ai.

Shefi i Bislimit në qeveri, kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për mediumin kroat “Veçernji List” i ka quajtur të padrejta masat e BE-së ndaj Kosovës.

“Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër, falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë për sa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por për sa u përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka thënë Kurti.

Në zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së përmes një përgjigjeje automatike kanë treguar se, “institucionet e BE-së janë në pushime verore”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka vënë në dispozicion një email të zyrtarit që merret me çështjet urgjente, por të hënën ka munguar përgjigja.

Marrëveshja për shtensionim nuk u shoqërua me heqjen masave

Marrëveshja për shtensionimin e situatës ishte arritur para një jave, në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi e zhvilloi me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Sipas dakordimit, për dy javë duhet të përfundojnë katër hapat e dakorduar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Pika e parë, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale, është përmbushur javën e parë. Sipas dakordimit, orari i veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri do të mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme. Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

“Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.

Në kuadër të dakordimit ishte paraparë edhe finalizimin i planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjeve. Por në takimin e javës së shkuar mungoi dakordimi rreth kësaj pike, ku Kosova e Serbia shfaqën mospajtime të mëdha sa i përket sekuencimit të marrëveshjes.

“BE-së nuk i mjafton vetëm fillimi i ndërmarrjes së hapave”

Pavarësisht insistimit të qeverisë për heqjen e masave, njohës të zhvillimeve nuk presin lëvizje të shpejtë nga ana e BE-së.

Demush Shasha nga Instituti “Epik” ka thënë se beson që masat do të ngelin në fuqi deri kur BE-ja vlerëson se Kosova ka marrë hapa të pakthyeshëm në normalizimin e dialogut dhe deeskalimin e situatës në veri.

“Vetëm fillimi i ndërmarrjes së hapave nuk do t’i mjaftojë Bashkimit Evropian për të hequr masat e vendosura. Kjo është arsyeja e parë që unë besoj se masat mbesin në fuqi. Arsyeja e dytë ka të bëjë me atë se masat janë efektivisht të padëmshme. Pra bëhet fjalë për pezullim të fondeve, jo anulim të tyre”, ka theksuar Shasha. “Rrjedhimisht BE-ja do t’i lërë këto masa në fuqi pasi që nuk sheh ndonjë dëm të pariparueshëm për Kosovën dhe njëkohësisht siç thashë dëshiron që një levë e presionit t’i ngelet në dorë për tu siguruar se Kosova do ta deeskalojë situatën në veri në mënyrë të pakthyeshme”.

Sanksionet e BE-së përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu, janë pezulluar edhe programet për Kosovën nga IPA 2024 dhe nuk janë dorëzuar para bordit për shqyrtim më 29 dhe 30 qershor propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Related posts

Sveçla tregon detajet: Jankoviç është dërguar në paraburgim për prishje të rendit në Serbi

admin

Lobimi i Daçiqit kundër Kosovës në Taxhikistan, reagojnë nga Presidenca

rezart morina

Chollet: Hapi i ardhshëm drejt Bashkimit Evropian varet nga Maqedonia e Veriut

rezart morina