Gjuha e realitetit të qeverisjes së tij, pa asnjë lidhje me atë që duan njerëzit
Intervista e gjatë e Edi Ramës, e transmetuar dje në televizion dhe rrjetet sociale, nuk solli ndonjë zbulim të madh për mënyrën se si kryeministri e sheh Shqipërinë pas më shumë se një dekade në pushtet.
Përkundrazi, forcoi një përshtypje që prej kohësh është bërë e vështirë të fshihet: Rama përsërit veten. Ndryshojnë pyetjet, temat dhe skenografia, por përgjigjet rikthehen vazhdimisht te të njëjtat formula.
Herë ai shfaqet si politikani që i di të gjitha, pastaj si ai që sapo ka kuptuar se disa gjëra nuk kanë funksionuar mirë. Në disa momente merr edhe pozën e politikanit naiv, që nuk e kishte ditur mirë çfarë po ndodhte, ose të njeriut që ka kuptuar se ka qenë arrogant me publikun dhe tani është gati të dëgjojë.
Por pas 13 vitesh në drejtimin e qeverisë, kjo pamje e “Ramës që po reflekton” ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Një nga deklaratat më problematike ishte ajo se nuk ka parë ende “futje duarsh të zyrtarëve” në buxhetin e shtetit.
Kjo përplaset drejtpërdrejt me realitetin e dokumentuar ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni kushtetues që kontrollon përdorimin e fondeve dhe pasurive publike.
Vetëm për vitin 2025, KLSH raportoi 26.2 miliardë lekë dëm ekonomik dhe efekt financiar negativ të konstatuar nga auditimet (mbi 270 milion euro). Po ashtu, Shqipëria ka pasur ndër vite hetime, arrestime dhe dënime për korrupsion e shpërdorim detyre.
Por ndoshta pjesa më interesante e intervistës lidhet me fiksimin e liderëve politikë për të hyrë në histori. Edhe Rama duket se mendon gjithnjë e më shumë për trashëgiminë e vet.
Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata se do të largohet vetë nga pushteti sapo Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian. Tingëllon bukur. Por lind pyetja: pse pikërisht atëherë?
Hyrja në BE nuk do të ishte domosdoshmërisht fundi i karrierës së një politikani shqiptar, por mund të ishte kulmi i saj. Dhe këtu deklarata bëhet edhe më interesante, sidomos pas fjalëve të Linda Ramës disa kohë më parë në një intervistë se “Shqipëria i rri ngushtë Edit”.
Nëse Shqipëria i është bërë e vogël, atëherë lind pyetja nëse Rama e sheh vendin si destinacion politik apo si trampolinë drejt një skene më të madhe evropiane. Një ambicie e tillë mund të duket sot si fantazi, por vetë retorika e kryeministrit e ushqen këtë ide.
Në Shqipëri, Rama ka ndërtuar një pushtet jashtëzakonisht të centralizuar, ndërsa institucionet, administrata dhe vendimmarrja janë përqendruar gjithnjë e më shumë rreth mazhorancës.
E në këtë realitet, ideja e një largimi vullnetar sapo të realizojë objektivin historik të integrimit, ngjan shumë e dyshmtë. Në fund, pyetja nuk është se çfarë mendon Rama se do të shkruajë historia për të.
Historia ka treguar se liderët që janë marrë tepër me mënyrën se si do të kujtohen, veçanërisht ata që e kanë zgjatur dhe përqendruar pushtetin, jo rrallë kanë lënë pas më shumë probleme sesa monumente.
Një kryeministër mund të projektojë trashëgiminë e vet, të caktojë objektivat dhe madje edhe momentin kur dëshiron të largohet. Por historia ka një të metë përballë planeve të liderëve: nuk shkruhet prej tyre.
Në fund, do të flasë Shqipëria që do të lërë pas Rama e jo historia që ai ka shkruar për veten. tesheshi

