RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

SHBA-ja e zhgënjyer që s’u arrit përparim në takimin e Brukselit

shba-ja-e-zhgenjyer-qe-s’u-arrit-perparim-ne-takimin-e-brukselit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shprehur të zhgënjyera që nuk është arritur përparim në takimin e së enjtes në Bruksel mes palës kosovare, palës serbe dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada e SHBA-së tha të enjten mbrëma se pret që Kosova e Serbia t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre, sipas Marrëveshjes “për rrugën drejt normalizimit që u arrit në fillim të këtij viti”.

“Ne jemi angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët tanë të BE-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak. Jemi të zhgënjyer që nuk u arrit përparim sot. Siç e kemi thënë vazhdimisht, Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë. Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme sipas Dialogut dhe marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen për KOHËN.

SHBA-ja tha se qëndron njëzëri me partnerët e QUINT-it për të mbështetur dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”, thuhet tutje.

Asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nuk ka prodhuar takimi i së enjtes në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përderisa Kurti ka thënë se nuk ka mundur që ta pranonte kompromisin mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiqi ka insistuar te themelimi i këtij mekanizmi.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell, ka fajësuar Kurtin për mungesën e kompromisit pasi që, sipas tij, është refuzuar propozimi që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. Sipas Borrellit, Kurti ka kërkuar së pari njohje “de facto” nga Serbia, ndërsa Vuçiqi themelimin e Asociacionit.

Related posts

Putin: Turqia, një “rrugë e besueshme” për dërgesat e gazit nga Rusia

admin

Gjermania zyrtarisht njeh avokatët e licencuar të Kosovës

rezart morina

Varhelyi: Beogradi dhe Prishtina treguan guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE

rezart morina