Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka deklaruar se forcat izraelite kanë marrë kontrollin e zonës kufitare të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
“Unë i kam hequr të gjitha kufizimet”, tha Gallant, duke shtuar se kanë “marrë rajonin nën kontroll” dhe “tani po niset një sulm i plotë”.
Gallant tha se grupi palestinez i Hamasit “do të pendohet për ofensivën e tij” dhe se Gaza “nuk do të jetë kurrë e njëjtë”.
Të shtunën, Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke depërtuar në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Grupi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite në hakmarrje nisi një operacion kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve, mbi 1.900 persona janë vrarë deri më tani nga dhuna, përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1 mijë izraelitë.
Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare të enklavës së bllokuar.
Rripi i Gazës, shtëpi e afër 2.2 milionë banorëve, tashmë ishte i zhytur në një rrethim izraelit që nga viti 2007.