Dje në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takime të ndara para takimit të sotëm Kurti-Vuçiq në Bruksel për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në fjalën e tyre dje, palët edhe një herë kanë konfirmuar se janë në mbështetje të misionit të KFOR-it në Kosovë, teksa Stoltenberg ka deklaruar se janë të gatshëm për ndërhyrje në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës në veri të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Në anën tjetër, mëngjesi i sotëm para takimit Kurti-Vuçiq ka gjetur veriun e Kosovës në një situatë tjetër “shqetësuese” për qytetarët. Në veri të vendit janë shfaqur grafite në rrugë ku thuhet “mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.
Grafite të ngjashme ishin shkruar edhe më herët në rrugët e Mitrovicës veriore, por edhe në komuna të tjera të vendit, ndërsa tani është shfaqur edhe nënshkrimi “Brigada e Veriut”.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje për rastin.