RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Të ardhurat e Palantir rriten me 93 për qind mes kritikave për mbështetjen ndaj luftës së Izraelit në Gaza

te-ardhurat-e-palantir-rriten-me-93-per-qind-mes-kritikave-per-mbeshtetjen-ndaj-luftes-se-izraelit-ne-gaza

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave, Palantir Technologies, raportoi një rritje prej 93 për qind të të ardhurave në tremujorin e dytë krahasuar me një vit më parë, pavarësisht kritikave në rritje për mbështetjen ndaj Izraelit dhe pretendimeve për përdorimin e teknologjisë së saj në luftën në Gaza, transmeton Anadolu.

Të ardhurat arritën në 1,94 miliard dollarë në tre muajt që përfunduan më 30 qershor, nga 1 miliard dollarë një vit më parë, njoftoi kompania.

Fitimi neto që u atribuohet aksionarëve të zakonshëm u trefishua në 1,06 miliard dollarë, ndërsa fitimi i holluar për aksion u rrit në 0,41 dollarë nga 0,13 dollarë.

Të ardhurat e Palantir në SHBA u rritën me 115 për qind në bazë vjetore, në 1,57 miliard dollarë. Të ardhurat nga sektori komercial në SHBA u rritën me 149 për qind, në 764 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat nga sektori qeveritar u rritën me 90 për qind, në 809 milionë dollarë.

“Ky tremujor ishte i jashtëzakonshëm”, tha drejtori ekzekutiv Alex Karp, duke iu referuar kërkesës në rritje për atë që kompania e quan “sovranitet të inteligjencës artificiale”.

Palantir nënshkroi 220 kontrata me vlerë të paktën 1 milion dollarë gjatë tremujorit, përfshirë 73 marrëveshje me vlerë 10 milionë dollarë ose më shumë.

Vlera totale e kontratave u rrit me 49 për qind, në 3,37 miliardë dollarë, ndërsa vlera e kontratave komerciale në SHBA u rrit me 153 për qind, duke arritur një rekord prej 2,13 miliardë dollarësh.

Kompania rriti parashikimin e të ardhurave vjetore në mes 8,15 miliardë dhe 8,16 miliardë dollarëve, nga parashikimi i mëparshëm prej 7,65 miliardë deri në 7,66 miliardë dollarë.

Ajo pret që të ardhurat nga sektori komercial në SHBA të tejkalojnë 3,42 miliardë dollarë këtë vit, duke shënuar rritje prej të paktën 134 për qind.

Aksionet e Palantir u rritën me më shumë se 14 për qind në tregtimin pas orarit zyrtar të bursës, pas publikimit të rezultateve financiare.

E themeluar në vitin 2003, Palantir zhvillon softuer për analizën e të dhënave që përdoret nga kompani, shërbime inteligjence dhe agjenci ushtarake.

Kompania njoftoi në janar 2024 një partneritet strategjik me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit për të ofruar teknologji për misione të lidhura me luftën.

Open Intel, një platformë që monitoron përfshirjen e kompanive në atë që e përshkruan si lufta gjenocidale në Gaza, thotë se Palantir ka rekrutuar ish-anëtarë të Njësisë 8200, divizionit elitar izraelit të inteligjencës kibernetike.

Platforma pretendon se softueri i Palantir kombinon komunikimet e përgjuara, imazhet satelitore dhe të dhëna të tjera për të ndihmuar forcat izraelite të krijojnë lista të objektivave ushtarake.

Related posts

Belgjika kërkon rregulla më të rrepta të BE-së për cigaret elektronike

RTI

Ekspertja e OKB-së paralajmëron për përdorimin sistematik të torturës ndaj palestinezëve

Hevzi

India do të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Arabinë Saudite

Muhamet Ramadani