RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ukraina avancon në Bakhmut, forcat ruse në panik

ukraina-avancon-ne-bakhmut,-forcat-ruse-ne-panik

Ukraina ka bërë të ditur se ka avancuar në qytetin e Bakhmutit, duke shënuar një fitore të madhe drejt kthimit të territoreve të pushtuara nga Rusia. Në anën tjetër, Kremlini ka mohuar menjëherë këto raporte, por sipas ekspertëve ushtarakë, reagimi i shpejtë i Rusisë tregon se është në panik

Ukraina ka raportuar se ka kthyer kontrollin e disa territoreve në qytetin lindor të Bakhmutit. Ky është avancim i rrallë i forcave ukrainase në këtë qytet. Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka njoftuar se ushtria brenda një jave ka avancuar dy kilometra brenda qytetit.

Raportimet e Ukrainës përbëjnë kthim të momentumit në betejën për qytetin, por nuk ka shenja se Ukraina ka nisur kundërofensivën e shumëpritur.

Ndërkaq Rusia ka mohuar raportet për avancimin e ushtrisë së Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se raportimet nëpër rrjetet sociale nuk kanë lidhje me realitetin në frontin e luftës.

Qyteti i Bakhmutit është bërë i rëndësishëm për dy krahët e luftës – ani pse ekspertët ushtarakë kanë vënë në dyshim vlerën taktike të qytetit.

Të enjten, Yevgeny Prigozhin, shef i grupit të mercenarëve që po luftojnë në anën e Rusisë, ka akuzuar ushtarët e rregullt rusë se po braktisin pozicionet e tyre në qytet.

Ai ka thënë se forcat ukrainase kanë avancuar në periferi të qytetit dhe, sipas tij, ky është skenari më i keq që ka mundur të ndodhte për ushtrinë ruse.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se mohimi i shpejtë i avancimit të forcave ukrainase nga Ministria ruse e Mbrojtjes tregon se paniku po rritet te Rusia.

Ndërsa një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane ka thënë për CNN-in se forcat ukrainase po bëhen gati për kundërofensivën duke sulmuar depot e armëve, qendrat komanduese dhe sistemet e artilerive ruse. Avancimi i Ukrainës në jug dhe verilindje të shtetit është bërë pas bombardimeve ajrore që i kanë dhënë tjetër formë frontit të luftës.

Pas disa muajsh ngecjesh, kundërofensiva ukrainase – e ndihmuar shumë nga armët perëndimore – është diskutuar hapur nga zyrtarët ukrainas. Mirëpo presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se është shumë herët për të nisur sulmi.

“Me atë që kemi tash mund të avancojmë dhe të jemi të suksesshëm”, ka thënë presidenti Zelenskyy. “Por do të humbnim shumë njerëz. Mendoj se kjo është e papranueshme. Prandaj duhet të presim. Na duhet edhe pak kohë”, ka shtuar ai.

Por përkundër qëndrimit të Zelenskyyt, korrespondenti pro-Rusisë, Sasha Kots, ka raportuar se kundërofensiva ukrainase ka filluar.

Tanket ukrainase janë pozicionuar nëpër rrugët e Kharkivit drejt kufirit me Rusinë, ka thënë korrespondenti rus. Mirëpo qëndrimet e tij nuk kanë mundur të konfirmohen nga mediat ndërkombëtare.

Sulmi i pritshëm mund të jetë vendimtar në luftë duke rivizatuar vijat e frontit, që për muaj të tërë kanë mbetur të pandryshuara. Do të jetë gjithashtu provë vendimtare për Ukrainën, e cila është kureshtare për të provuar se armët dhe pajisjet që ka marrë nga Perëndimi mund të rezultojnë në përfitime të rëndësishme në fushën e betejës.

Duke folur nga selia e tij në Kiev, presidenti Zelensky i ka përshkruar brigadat luftarake, disa prej të cilave u trajnuan nga vendet e NATO-s si “të gatshme”, mirëpo ka thënë se ushtrisë ende i duhen “disa gjëra”, dukë përfshirë automjete të blinduara. /koha

Related posts

Nis mësimi në një shkollë në Gjakovë, mësuesit vendosin t’i japin fund grevës

admin

Bashkëshortja e kryeministrit skocez thirrje për armëpushim urgjent në Gaza

rezart morina

Hebrenjtë fanatikë bastisin Xhaminë Al-Aksa me rastin e festës “Yom Kippur”

rezart morina