Trupat dhe mjetet e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë dislokuar në Kukës, ku janë vënë në gjendje gatishmërie për t’i mbështetur disa nga komunat e Kosovës të cilat janë prekur nga vërshimet.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili tha se janë të gatshëm për ndërhyrje.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës”, është shprehur Peleshi, transmeton Klankosova.tv.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku me fjalët “Shqipëri, t’u rritë nderi!”. /klankosova