Tani zënkat nuk kufizohen më te dy figurat kryesore, por po përfshijnë edhe ndihmësit e tyre
Ben Samuels, Haaretz
Gjatë pjesës më të madhe të karrierës politike të presidentit amerikan, Donald Trump, marrëdhënia e tij me kryeministrin Benjamin Netanyahu është mbështetur në supozimin se çdo mosmarrëveshje e shfaqur do të zbutej dhe radhët e kampeve përkatëse do të rreshtoheshin si më parë.
Megjithatë, ky supozim po tregohet gjithnjë e më i brishtë me kalimin e ditëve. Të dielën, Netanyahu kundërshtoi hapur elementet thelbësore të planit më të ri të Trump-it për paqen në Gazë, duke ngulmuar se Izraeli nuk do të tërhiqet nga territoret nën kontrollin e tij, përveçse nëse Hamasi çarmatoset plotësisht.
Ndërkohë, Bordi i Paqes, i mbështetur nga Trump, deklaron se plani i tij mbetet në fuqi, pasi Izraeli ka reduktuar tashmë një pjesë të aktiviteteve ushtarake nën trysninë amerikane.
Mosmarrëveshja politike në vetvete ka peshë, por ajo që po ndodh nën sipërfaqe është më domethënëse: besnikët e Trump-it dhe të Netanyahut po ndihen gjithnjë e më të vendosur për të shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj liderit tjetër.
Që nga vizita e Netanyahut në Uashington muajin e kaluar, është bërë më se e qartë se këshilltarët e lartë të Trump – veçanërisht zëvendëspresidenti J.D.Vance – mbajnë një qëndrim dukshëm më pak nderues ndaj qeverisë izraelite, duke e cilësuar haptazi Netanyahun si pengesën kryesore për realizimin e synimeve të Trump-it për t’i dhënë fund luftërave dhe për të riformuar hartën e Lindjes së Mesme.
Tashmë, në radhët e zyrtarëve amerikanë ka një konsensus pothuajse të plotë se Netanyahu e trajton mbështetjen e Shteteve të Bashkuara si një të drejtë të mirëqenë, duke ia lënë Trump-it barrën e zgjidhjes së rrëmujave që ai vetë krijon.
Sipas tyre, Netanyahu përdor një retorikë të dyfishtë: nga njëra anë pret një mbështetje të jashtëzakonshme amerikane, ndërsa nga tjetra i hedh vazhdimisht pengesa planeve të Trump-it.
“Donald J. Trump është i vetmi lider në mbarë botën që në këtë moment ndjen simpati për kombin izraelit,” u shpreh Vance më herët gjatë verës. “Po të isha pjesë e kabinetit izraelit, ndoshta nuk do të sulmoja të vetmin aleat të fuqishëm që më ka mbetur në botë”.
Por kjo nuk filloi me Gazën. Pakënaqësia e brendshme kishte zënë rrënjë prej kohësh, por shpërtheu në qershor, kur Trump-i i shprehu tërbimin Netanyahut për shkak të bombardimit të Bejrutit – duke deklaruar se kryeministri “nuk ka asnjë lloj gjykimi” – dhe e akuzoi atë, në një postim në rrjetet sociale, se po rrezikonte diplomacinë amerikane me Iranin.
Kësaj radhe, acarimi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe reciprok. Rrethi i Netanyahut po ndjen një pakënaqësi në rritje ndaj administratës Trump, e cila, edhe pse krenohet se është historikisht pro-izraelite, po përpiqet t’i diktojë Izraelit se si të zhvillojë luftërat dhe se si të negociojë përfundimin e tyre.
Ky zhgënjim ka filluar të dalë në shesh. Oren Dobronsky, biznesmeni izraelito-amerikan të cilin Netanyahu e zgjodhi për vendin e parë të rezervuar në listën e Likudit për Knesset, e cilësoi Trump-in “një copë mut të kalbur moralisht” për shkak të marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit në qershor.
Ndonëse Dobronsky përdor një gjuhë të pazakontë e të ashpër, frustrimi themelor nuk është aspak unik në orbitën e Netanyahut. Zyrtarë të lartë izraelitë kanë qenë tejet të rezervuar lidhur me takimin e padeklaruar të Netanyahut me Vance në Uashington muajin e kaluar, duke nënkuptuar se kjo marrëdhënie po shndërrohet në një problem më tepër sesa në një zgjidhje.
Trump dhe Netanyahu mund të vazhdojnë ta lavdërojnë njëri-tjetrin publikisht dhe të komunikojnë në telefon, por marrëdhënia e tyre nuk përcaktohet më vetëm nga dinamika ndërpersonale.
Këshilltarët, aleatët, zëdhënësit dhe të besuarit që menaxhojnë këtë marrëdhënie duket se i shohin gjithnjë e më shumë homologët me armiqësi.
Për vite të tëra, mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Tel Avivit ndoqën një skenar të njohur partiak, ku Netanyahu mund t’i bënte ballë një administrate demokrate, ndërsa republikanët nxitonin në mbrojtje të tij. Trump-i e përmbys këtë ekuacion.
Pavarësisht adhurimit që republikanët i kanë shfaqur Netanyahut gjatë dekadave, besnikëria e tyre i takon tërësisht Trump-it. Ajo që po shfaqet është një marrëdhënie ku të dy palët besojnë se kanë grumbulluar mjaft mëri dhe ndihen gjithnjë e më rehat për t’i shprehur ato.
Të dyja kampet ndihen se tjetra u ka borxh, dhe pikërisht këto mëri reciproke mund të përcaktojnë më shumë të ardhmen sesa vetë mosmarrëveshjet politike.
Trump dhe Netanyahu janë përplasur dhe pajtuar më parë. Ajo që e bën këtë rast të ndryshëm, është se përplasja nuk kufizohet më te dy figurat kryesore; tani po përfshihen edhe ndihmësit e tyre. tesheshi

