RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Salih Mustafa urdhërohet të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave

salih-mustafa-urdherohet-te-paguaje-207-mije-euro-per-zhdemtim-te-viktimave

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK), të enjten, është mbajtur seanca për caktimin e urdhrit për zhdëmtim të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ku ky i fundit u urdhërua të paguajë 207 mijë euro.

Sipas gjykatës, duke pasur parasysh shkallën dhe pasojat e dëmit, u vendos që Mustafa të paguajë 207 mijë euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Nga kjo shumë, 30 mijë euro për viktimën 8, 80 mijë euro për viktimën 9, 60 mijë euro për viktimën 10, kurse për viktimat 5-6 dhe 12 shumën nga 10 mijë euro, kurse për viktimën 11 shumën prej 5 mijë dhe shumën prej 2 mijë euro për viktimën 13.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.

Aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related posts

Aksion i Krimeve Ekonomike në veri, cak një depo në hyrje të Zveçanit

admin

Erdoğan: Putin mund të vizitojë Turqinë për ‘hapin e parë’ për termocentralin bërthamor Akkuyu

admin

Grevat “gjunjëzojnë” Britaninë/ Greva masive ka paralizuar shumë shërbime dhe shkollat

admin